INSTAT-i: Ekonomia dhe konsumi shënuan rritje në tremujorin e parë
2024-07-10 14:43:47

Treg ne Shqiperi (Foto Atsh)

Treg ne Shqiperi (Foto ATSh)

Instituti i Statistikave në Shqipëri publikoi raportin mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), ku vihet re rritje e ekonomisë shqiptare dhe konsumit në tremujorin e parë të vitit, shkruan “ATSH”.

Sipas raportit të INSTAT-it, në tremujorin e parë ekonomia vlerësohet me rritje 3.63% në terma realë, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2023.

Ndërtimi ka ndikuar në një të tretën e kësaj rritjeje, ndërsa ndikim pozitiv ka dhënë edhe rritja e pagave.

Ndër degët kryesore të ekonomisë, për tremujorin e parë të vitit, krahasuar me atë të një viti më parë, ndërtimi shënoi rritje me 14.04%, i ndjekur nga grupi i aktiviteteve të “Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë” i cili shënoi rritje 7.71%.

“Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme” ka shënuar një rritje prej 5.91%, grupi i “Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative” shënoi rritje 5.54%, grupi i aktiviteteve “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” pati një rritje prej 4.63%, “Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit” shënoi një rritje prej 2.83%, grupi i aktiviteteve “Informacioni dhe Komunikacioni” shënoi rritje prej 2.14% dhe grupi i aktiviteteve “Arte, argëtim dhe çlodhje, aktivitete të tjera shërbimi” pati rritje me 1.97%.

Taksat Neto mbi produktet u rritën me 2.8%.

INSTAT-i bëri të ditur se në 3 mujorin e parë konsumi i popullatës u rrit me 3.7%. (Elona)