Ndihma ekonomike për njerëzit në nevojë do të rritet përmes dy formave të mbështetjes
2024-07-09 13:01:04

Foto:VCG

Foto:VCG

Ndihma ekonomike për njerëzit në nevojë do të rritet përmes dy formave të mbështetjes; me shërbime sociale të integruara, si dhe me para në dorë, por tanimë qasja do të ndryshojë. 

Personat që janë të aftë të punojnë do të drejtohen nga ana sociale për punësim deri në daljen nga skema e ndihmës ekonomike, deklaroi Denada Seferi, zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në një intervistë për “RTSH”-në.

“Do të ketë mentorim social për çdo individ të familjeve në nevojë. Nëse do të ketë prindër që do të duhet të punësohen, do të rrugëtojnë bashkë me zyrat e punësimit dhe me zyrat e shërbimit social shtetëror. Ata do të ndiqen duke u bërë një profil social, duke bërë një plan individual, duke parë aftësitë e tyre deri në punësimin e qëndrueshëm. Nëse e thyejmë këtë cikël varfërie dhe investojmë duke u dhënë mbështetje më të madhe fëmijëve, qoftë me skemat e pagesave në kesh, qoftë edhe me shërbimet e integruara, kjo do të mundësojë që ata jo vetëm të dalin nga skema e ndihmës ekonomike, por të kenë mundësinë të fuqizohen të gjithë anëtarët e familjes”,- deklaroi Seferi.

Strategjia e re Kombëtare e Mbrojtjes Sociale parashikon që të moshuarit e vetmuar, si dhe fëmijët më aftësi të kufizuar, të marrin shërbimet e asistencës në shtëpi.

“Ne parashikojmë që nëpërmjet fondit social, që ka më se 5 vite që implementohet, por tashmë duke rritur buxhetin financiar të tij, do të bëjmë të mundur që 90 shërbime deri në vitin 2030, të ofrohen në 61 bashkitë e vendit. Nëpërmjet këtij fondi social do të asistohen bashkitë përmes bashkëfinancimit në mënyrë që të krijojmë qëndrueshmëri të shërbimeve. Jo të financohen bashkitë nga buxheti i shtetit dhe më pas pagesa të mbyllet nga bashkia dhe kaq, por duke pasur bashkëfinancim, ne paguajmë punonjësit socialë, psikologun, terapistin, logopedin etj. dhe i japim cilësi më të lartë shërbimit. Fondi social aktualisht financon 73 shërbime për 33 mijë përfitues në të gjithë vendin”,- bëri të ditur zv.ministrja Seferi.

Për herë të parë Strategjia parashikon edhe një plan emergjence, përmes të cilit familjet që preken nga fatkeqësitë natyrore do të ndihmohen, veç të tjerave, edhe me para kesh, menjëherë pas fatkeqësisë.

Skema e re e ndihmës ekonomike pritet të ulë varfërinë në 7 vitet e ardhshme dhe të fuqizojë familjet në nevojë. (Irma)