Kryeministri Rama: Gjithnjë e më shumë në rritje numri i turistëve drejt Thethit
2024-07-07 20:14:13

Thethi (Foto Atsh)

Thethi (Foto Atsh)

Kryeministri, Edi Rama, ndërsa ndau në rrjetet sociale pamje nga Thethi, një nga destinacionet më piktoreske të turizmit malor në Shqipëri, deklaroi se numri i turistëve që vizitojnë një nga zonat më të bukura në vend është gjithnjë e më shumë në rritje, shkruan “ATSH”.

“Gjithnjë e më shumë turistë drejt Thethit, vizitorë vendas e të huaj duke eksploruar një nga zonat më të bukura në vend”,- shkroi kryeministri Rama.

Thethi është kthyer prej vitesh në një nga pikat më të rëndësishme turistike të veriut të Shqipërisë. Parku Kombëtar, i themeluar në vitin 1966, mbulon 2630 ha (26.3 km2) dhe është vendosur në qendër të Alpeve shqiptare, duke përfshirë pjesën më të madhe të Luginës së Shalës. Parku është themeluar për të mbrojtur ekosisteme të ndryshme, biodiversitetin dhe trashëgiminë kulturore dhe historike të rajonit.

Për shkak të zonës së tij të kufizuar, parku karakterizohet nga një florë shumë e larmishme, me vlerësime që variojnë midis 1500 dhe 1650 specie bimësh, midis të cilave 70 specie janë të rrezikuara.

Vitet e fundit, në Theth janë shtuar strukturat mikpritëse. Në shumicën e rasteve, jane kullat e vendasve të kthyera në bujtina, që kanë pritur vizitorë nga të gjitha anët e globit. (Irma)