Anduena, Dashuria për muzikën triumfon
2024-07-07 12:01:32

Anduena Osmani Himaj ka lindur në Gjakovë, ku ka kryer shkollën e  mesme dega Farmaci. Anduena, ka kënduar në moshë të vogël dhe ka qenë anëtare e  Ansamblit Folklorik  “Shqiponja e Dukagjinit”, si dhe ka marrë pjesë në fillim të viteve ’90-të, nëpër koncerte në vende të ndryshme. Në vitin 1996, pasi jetuan  në Tiranë për rreth një vit, u vendosën në Gjermani. Aty ajo në fillim ka ndjekur kurset e gjuhës gjermane, si dhe ka kryer shkollën e lartë  për Teknike e Farmacisë. Aty ajo u njoh me bashkëshortin dhe kanë krijuar  familjen e tyre me tre fëmijë. Fokusi i saj i madh në atë periudhë kohe ka qenë përkushtimi i fëmijëve, por muzika ka qenë gjithmonë prezente në familjen e saj. Kënga e shoqëronte çdo ditë të jetës, derisa erdhi momenti, që kjo dëshirë e madhe për muzikën, të shpalosej edhe për publikun e gjerë.

Anduena  ( Foto  personale )

Anduena  ( Foto  personale )

Kohët e fundit Anduena ka sjellë disa këngë, ndër të cilat edhe bashkëpunimin me artistin e mirënjohur Hekuran Krasniqin, për këngën “Po flasin keq”. Vokali i saj i ngrohtë i përshtatet mjaft mirë baladave, por kryesisht këngëve të bukura qytetare shqiptare. Në intervistë për Radio Ejani, Anduena  tregon për këtë bashkëpunim dhe si ju rikthye dashurisë së saj të madhe për muzikën.

CMG: Kohët e fundit ke sjellë këngën “Po flasin keq” bashkë me artistin e njohur Hekuran Krasniqi. Si lindi ky bashkëpunim?

Anduena  (Foto  personale )

Anduena  (Foto  personale )

Anduena: Është e vërtetë. Kjo ka qenë një befasi shumë e madhe edhe për mua, pasi nuk e kisha menduar ndonjëherë që do më jepej mundësia të bashkëpunoja me një këngëtar kaq të njohur si Maestro Hekuran Krasniqi, të cilin e falenderoj për mbështetjen dhe vlerësimin që ma ka bërë si këngëtare. Gjithashtu e falenderoj dhe bashkëshortin  tim, i cili kishte filluar më herët për të punuar në këtë drejtim, për të ma realizuar ëndrrën time të hershme.

Me Hekuranin për herë të parë u takuam gjatë verës së vitit të kaluar, kur ne ishim për pushime në Kosovë. I gjithë takimi ishte orgazinuar nëpërmjet bashkëshortit tim dhe një mikut të tij. Një ditë bashkëshorti më tha se kishte lenë takim me Hekuranin. Unë u befasova sepse më erdhi si e papritur dhe më filluan emocionet. Por që nga momenti kur u takuam me Hekuran Krasniqin, me atë thjeshtësinë e vet, ai më bëri që të ndjehem rehat. Filluam të bisedonim rreth këngës, muzikës, pasionit tim. Që nga ai moment shkuam në studio, ku fillova të bëja disa prova të zërit. Sapo më dëgjoi në studio, Hekuranit i pëlqeu zëri dhe talenti im. Ne pas atij takimi, mbetëm në kontakt. Por kur u kthyem në Gjermani, Hekurani kishte filluar të punonte me idetë që kishim diskutuar bashkë. Të gjitha idetë unë i kam mirëpritur dhe sot jam shumë e lumtur që i kemi realizuar të gjitha me sukses.  

CMG: Për çfarë flet kënga "Po flasin keq" dhe çfarë mesazhi përcjell?

Anduena  (Foto  personale)

Anduena  (Foto  personale)

Anduena: Kënga “Po flasin keq”, prek një tematikë jo të rrallë në shoqërinë tonë. Edhe vetë titulli e tregon “Po flasin keq”, dhe përçon një mesazh, një dashuri të vërtetë , të madhe, e cila triumfon përpara çdo të keqeje.

CMG: Anduena, ti jeton në Gjermani, si është ndërtuar jeta jote aty?

Anduena: Falë Zotit, punës dhe angazhimit tim, sot jam shumë mirë, por rrugëtimi im për të arritur këtu, nuk ka qenë i lehtë. Ne kemi ardhur në Gjermani në vitin 1996. Filluan peripecitë si në një vend të panjohur, një gjuhë e panjohur për ne. Në dallim nga sot, atëherë nuk i kemi patur mediat sociale, që të  informoheshim më shumë. Unë u ndava nga një jetë tjetër  dhe nisa një jetë komplet tjetër në Gjermani, por nuk u dorëzova, i ndoqa qëllimet e mia, fillova kursin e gjuhës, më pas ndoqa shkollën, që nuk ka qenë e lehtë, por nuk u ndala. Sot jam me profesion teknike e farmacisë. Në atë kohë u njoha edhe me shokun tim të jetës, bashkëshortin tim sot, krijuam familjen dhe kemi dy fëmijë. Jam shumë e lumtur për këtë gjë.

Anduena  (Foto personale)

Anduena  (Foto personale)

CMG: A ishte e vështirë për t’u përshtatur me një vend dhe kulturë tjetër ?

Anduena: Nuk ka qenë aspak e lehtë, duke menduar se janë dy kultura  të ndryshme. Nuk ka qenë e lehtë për mua personalisht, por edhe prej momentit që jam bërë nënë ka qenë shumë e vështirë që t’i rrisnim fëmijët në mes të dy kulturave. Unë mendoj se njeriu që vendos të jetojë në një vend tjetër, duhet të japë maksimumin, të integrohet dhe t’i japë sa më shumë vendit ku jeton, për vetë faktin që të ndjehet mirë dhe mos ndjehet inferior, por duke i ruajtur gjithmonë traditat, vlerat e veta dhe identitetin prej nga vjen. Unë jam fanatike e këtyre gjërave, madje fëmijët e mi janë lindur e rritur në Gjermani, por ndjehen shumë krenarë që janë shqiptarë, e flasin gjuhën shqipe po aq mirë sa e flas edhe vetë. Gjuhën shqipe e flasim  të gjithë në shtëpi, është gjuha jonë që nuk e ndërrojmë me asnjë gjuhë tjetër. Këtu jemi integruar që të mos ndjehemi të huaj, por edhe në vendin tonë të mos ndjehemi të huaj.

CMG: E ke pasur pasion muzikën që në moshë të vogël, çfarë kujton nga ajo kohë?

Anduena (Foto personale)

Anduena (Foto personale)

Anduena: Unë jam rritur me këngë të pavdekshme të muzikës shqiptare, të cilat që e vogël i kam dëgjuar çdo ditë në shtëpi të kënduara nga mami im. Ajo i ka kënduar aq bukur, me një zë brilant, të cilat i kam ende në vesh dhe në mendjen time, por edhe vetë i këndoj me shumë pasion. Kam filluar  të këndoj shumë herët, nëpër festat e shkollës. Kam qenë anëtare e  Ansamblit Folklorik atëherë “Shqiponja e Dukagjinit”. Në fillim të viteve ’90 unë kam mbajtur koncerte në vende të ndryshme. Dalja përpara publikuar për të kënduar live, ka qenë një ndjenjë e papërshkrueshme dhe madhështore, që një kohë të gjatë më ka munguar vërtetë shumë.

CMG: Ke sjellë për një kohë shumë të shkurtër, mjaft këngë të njohura të muzikës shqiptare. Çfarë dëshiron që të arrish në të ardhmen?

Anduena: Që nga momenti kur ne u larguam nga vendi, unë nuk pata mundësinë që të merresha me këngën, pasi jeta ime mori një drejtim tjetër. Ishin gjëra të tjera dhe qëllime të tjera, që u desh të merresha me to. Muzika mbeti në vendlidnje, por kënga jo, këngën e mora me vete. Kënga është pjesë e jetës time, kënga është balsam për shpirtin tim. Në momentet më të lumtura unë këndoj, në momentet më të vështira unë këndoj, pra është pjesë e imja.

Momenti erdhi përsëri dhe  unë nuk e kisha menduar, pasi e kisha humbur shpresën, se do i rikthehesha këngës. Familjarët e mi, të cilët më duan shumë, nuk më lenë rehat duke më thënë që të bëj patjetër diçka për veten dhe dëshirën time, e që t’ja plotësoj vetes këtë dëshirë të hershme. Familjarët e dinë më së miri se sa shumë e kam dashur dhe e dua këngën. Gjithashtu fëmijët e mi tani janë rritur dhe sot  unë kam më shumë mundësi që t’i përkushtohem vetes, edhe pse në këtë drejtim kanë punuar më shumë  të tjerët sesa unë personalisht. Madje bashkëshorti është ai i cili e ka shtruar rrugën deri këtu ku unë jam sot dhe jam shumë e lumtur për këtë gjë.

Anduena në një koncert në vitin 1992 (Foto nga youtube)

Anduena në një koncert në vitin 1992 (Foto nga youtube)

Nga të gjitha këto projekte që janë realizuar deri më sot, i kam bërë vetëm për kënaqësinë time, por gjithashtu që të mbeten edhe një kujtim për familjen time,  fëmijët e mi që ta kenë këtë kujtim prej mamit, që e ka dashur dhe vazhdon ta dojë këngën kaq shumë. Gjithçka ka nisur pa ndonjë plan të madh dhe po ashtu do e le gjithçka që të rrjedhë.

CMG: Do të të shohim që të marrësh pjesë në ndonjë kompeticion të muzikës shqiptare?

Anduena: Nuk kam ndonjë plan në këtë drejtim, por jam e hapur për çdo gjë.

CMG: Kur do të jetë projekti më i ri muzikor?

Anduena: Për momentin nuk kam ndonjë plan për ndonjë projekt të ri, por prapë nuk i dihet.

Intervistoi: Sava Lena