OKB: Mbi 1 milion persona në Karaibe janë prekur nga uragani “Beryl”
2024-07-07 21:10:24

Uragani (Foto Xinhua)

Uragani (Foto Xinhua)

Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) bëri të ditur se mbi 1 milion persona në Karaibe janë prekur nga uragani “Beryl”, citon “Xinhua”.

Rreth 40.000 persona janë prekur në Saint Vincent dhe Grenadines, më shumë se 110.000 njerëz në Grenada dhe 920.000 njerëz në Xhamajka, njoftoi OCHA-ja, duke cituar vlerësimet aktuale.

Si një uragan i kategorisë 4 që ka marrë të paktën 11 jetë deri më tani, “Beryl” la një gjurmë shkatërrimi në Saint Vincent dhe Grenadines, duke prekur më pas Xhamajkën të mërkurën. Uragani kaloi edhe në Belize dhe Meksikë.

Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin raportoi se në Grenada, uragani shkaktoi dëme ekstreme në ishujt Carriacou dhe Petit Martinique, ku u dëmtuan përkatësisht 70 për qind dhe 97 për qind e ndërtesave.

Në Saint Vincent dhe Grenadines, 90 për qind e shtëpive në Union Island u prekën, ndërsa në ishullin Canouan, pothuajse të gjitha ndërtesat pësuan dëmtime.

OCHA-ja njoftoi për dërgimin e ekipeve në vendet e Karaibeve për të mbështetur përpjekjet e tyre të reagimit dhe bëri të ditur se janë vënë në dispozicion 4 milionë dollarë amerikanë nga Fondi Qendror i Kombeve të Bashkuara për Reagimin e Emergjencave, për të nisur operacionet humanitare në Grenada, Xhamajka, Saint Vincent dhe Grenadines. (Irma)