Rishi Sunak dorëhiqet nga drejtimi i Partisë Konservatore
2024-07-07 19:44:25

Rishi Sunak (Foto Atsh)

Rishi Sunak (Foto Atsh)

Ish-kryeministri britanik, Rishi Sunak, njoftoi synimin e tij për të dhënë dorëheqje si lider i Partisë Konservatore, pas humbjes së rëndë në zgjedhje.

Megjithatë, Sunak do të qëndrojë në postin e tij derisa të emërohet një pasardhës.

Në një fjalim solemn, ai shprehu keqardhjen e tij para kombit dhe pranoi thirrjen e qartë të votuesve për ndryshim, shkruan “ATSH”.

“Shpreh keqardhjen për gjithçka. Zgjedhësit dërguan një sinjal të qartë se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar duhet të ndryshojë dhe gjykimi juaj është i vetmi që ka rëndësi. Kam dëgjuar zemërimin tuaj, zhgënjimin tuaj. Dhe unë marr përgjegjësinë për këtë humbje”,- theksoi ai.

Sunak lavdëroi dhe Keir Starmerin, kreun e Partisë Laburiste, që e pason atë në postin e kryeministrit.

“Në këtë punë, sukseset e tij do të jenë të gjitha sukseset tona dhe i uroj atij dhe familjes së tij suksese. Pavarësisht mosmarrëveshjeve që kemi pasur në fushatë, ai është i denjë, njeri me shpirt publik, të cilin e respektoj”, tha Sunak. (Irma)