Kolegji i parë i pandave gjigante në Kinë fillon të regjistrojë studentë
2024-07-07 16:06:03

Kolegji i pandave gjigante, nën Universitetin Normal të Kinës Perëndimore, në provincën Sichuan të Kinës jugperëndimore, i njohur si vendlindja e pandave gjigante, do të regjistrojë 50 studentë këtë vjeshtë, në drejtimin e menaxhimit të kafshëve të egra dhe rezervave natyrore, shkruan “Xinhua”.

Kolegji, i themeluar shtatorin e kaluar nga Administrata provinciale e Pyjeve dhe Kullotave, është kolegji i parë në Kinë që ka studime për pandat gjigante.

Universiteti ka një fokus të gjatë në mbrojtjen ekologjike të burimeve të rralla të kafshëve dhe bimëve të egra në malet jugperëndimore të Kinës.

Ky është universiteti më i hershëm, më jetëgjatë dhe më me ndikim për të kryer kërkime në fushën e ekologjisë së pandave gjigante të egra.

Kolegji ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Qendrën e Konservimit dhe Kërkimit të Kinës për Panda Gjigante, Bazën Kërkimore Chengdu të Mbarështimit të Pandave Gjigante dhe disa rezervate natyrore kombëtare.

Wei Wei, një mësues në kolegj, tha se gjatë studimeve të tyre në kolegj, studentët kanë mundësinë të ndjekin praktikën dhe të fitojnë përvoja praktike në këto vende, duke marrë pjesë në punë që lidhen me mbrojtjen, mbarështimin dhe parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve të pandave gjigante. (Irma)