Zjarret (Foto Atsh)
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u bëri thirrje qytetarëve mos të ndezin zjarre në pyje, duke rikujtuar se kjo është një vepër penale e dënueshme me deri 5 vite burg, shkruan “ATSH”.
“Në Qafën e Llogorasë, përballja e parë serioze e kësaj vere me zjarret ishte një sfidë e madhe. Arritëm t’i vëmë nën kontroll, por kjo nuk mjafton. Temperaturat, sado të larta të jenë, nuk mund të shkaktojnë zjarre në mënyrë natyrale. Në emër të çdo zjarrfikësi dhe punonjësi që përballet me flakët, u bëj thirrje të gjithë banorëve në zonat rurale, bëni kujdes, pasi vetëm një shkëndijë mjafton për të djegur të gjithë malin në këtë stinë të nxehtë. Për ata që ndezin zjarre në mënyrë të qëllishme, për të liruar kullota apo thjesht për të shkaktuar dëme në mjedisin natyror, kujtojmë se shkatërrimi i pronës publike dhe private me zjarr është një krim që dënohet deri në 5 vjet burg”,- bëri të ditur AKMC-ja.
Agjencia njoftoi se do të bashkëpunojë me policinë për të denoncuar dhe ndihmuar në ndalimin e kujtdo që tenton të djegë pyjet dhe kullotat, pasurinë e përbashkët kombëtare.
Sipas AKMC-së, asnjë tolerim nuk do të ketë në këtë drejtim.
Ditë më parë disa vatra zjarri u përhapën në Dhërmi dhe Llogora. Forcat zjarrfikëse, por edhe banorë të zonës, u angazhuan për të shuar flakët. (Irma)