Përfaqësuesi i opozitës izraelite i premton kryeministrit mbështetje për negociatat me Hamasin
2024-07-07 20:26:51

Zyrtare izraelite (Foto Atsh)

Zyrtare izraelite (Foto Atsh)

Politikani i opozitës izraelite, Benny Gantz, i ka premtuar kryeministrit Benjamin Netanyahu mbështetjen e tij nëse negociatorët izraelitë bien dakord për një armëpushim dhe shkëmbim pengjesh në bisedimet indirekte me Hamasin në javët e ardhshme, shkruan “ATSH”.

“Partia e Unitetit Kombëtar do të mbështesë çdo marrëveshje të arsyeshme që çon në kthimin e pengjeve të rrëmbyer nga Hamasi”,- theksoi Gantz në një bisedë telefonike me Netanyahun, sipas zyrës së tij.

Bisedimet, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari kanë ngecur për një kohë të gjatë. Megjithatë, një raund i ri pritet të fillojë në ditët në vijim në kryeqytetin e Katarit, Doha, pasi Hamasi sinjalizoi fleksibilitet në disa pika të një propozimi të mbështetur nga Izraeli.

Hamasi kërkon fundin e luftës dhe lirimin e pengjeve në këmbim të numrit të madh të të burgosurve palestinezë të mbajtur në Izrael.

Në Izrael ekziston frika se Netanyahu do të refuzojë një marrëveshje, siç bëri në fazat e mëparshme të negociatave. (Irma)