Ministri Peleshi: Helikopterët “Black Hawk” pilotohen për herë të parë nga ekuipazh shqiptar
2024-07-07 20:36:47

Helikopter (Foto Rtsh)

Helikopter (Foto Rtsh)

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, deklaroi se helikopterët “Black Hawk” janë pilotuar për herë të parë nga ekuipazh tërësisht shqiptar.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, cituar nga “RTSH”, ministri Peleshi bëri të ditur se pilotët dhe teknikët e Forcave Ajrore shqiptare u certifikuan pas trajnimit me instruktorë amerikanë.

Sipas ministrit Peleshit, mbrojtja dhe siguria e Shqipërisë mbeten prioritet absolut.

“Helikopterët “Black Hawk” fluturojnë për herë të parë me ekuipazh tërësisht shqiptar. Pilotët dhe teknikët e Forcës Ajrore u certifikuan si të gatshëm për kryerjen e operacioneve në përfundim të fazës së parë të trajnimit nga instruktorët amerikanë.

Helikopterët “Black Hawk” mbërritën në Shqipëri si një investim shumë i rëndësishëm për Forcat tona të Armatosura. Mirënjohje e veçantë për partnerin tonë strategjik SHBA për mbështetjen e tyre të vazhdueshme. Mbrojtja dhe siguria e vendit, prioriteti ynë absolut”,- shkroi ministri Peleshi. (Irma)