Banesat sociale (Foto Atsh)
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, deklaroi se 22 bashki shpallen fituese në projektin e investimeve të strehimit social.
Ministri tha se me një vlerë financimi prej 490 milionë lekë nga buxheti i shtetit, këto projekte do të adresojnë nevojat për përmirësimin e kushteve të banimit për 847 familje në nevojë në të gjithë vendin, shkruan “ATSH”.
Sipas tij, familjet që përfitojnë nga ky projekt janë: 11% familje me ndihmë ekonomike; 21.6% të moshuar pa përkrahje; 13.2% persona me aftësi të kufizuara; 10% minoritet rom dhe egjiptian; 2.5% familje me një prind; 2% familje me gra kryefamiljare; 3.2% emigrantë të rikthyer; 2% viktima të trafikimit; 34.5 % kategori të tjera sipas ligjit nr. 22/2018 “Për strehimin social”.
Ministri bëri të ditur se shpërndarja e fondeve do të bëhet sipas planit ku, 57 milionë lekë janë për adaptimin e objektit dhe kthimin në banesë sociale për strehimin e 35 familjeve në kushte të vështira ekonomike, në Bashkinë Mat.
Më tej, 335 milionë lekë për programin e “Përmirësimit të kushteve të banimit” për 547 familje në 19 bashki.
Gjithashtu, janë 98 milionë lekë për përmirësimin e infrastrukturës në zonat informale për 265 familje, që i përkasin kategorive të strehimit social.
“Ky investim është një hap i madh drejt përmirësimit të jetesës për shumë familje në nevojë”,- deklaroi ministri Gonxhja. (Irma)