Pjesëmarrësit ndjekin sesionin e 56-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara (OKB) në Gjenevë të Zvicrës, më 1 korrik 2024. / Xinhua
Shoqata e Kombeve të Bashkuara e Kinës (UNA-China) organizoi të enjten në Pallatin e Kombeve në Gjenevë të Zvicrës një veprimtari të titulluar "Kontributi i modernizimit kinez për nxitjen dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut", gjatë sesionit të 56-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara. Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të trupit diplomatik në Gjenevë, të organizatave të OKB-së, të shoqërisë civile nga Kina dhe vendet e tjera dhe mediat.
Pjesëmarrësit deklaruan se, në procesin e modernizimit kinez, Kina ecën në rrugën e zhvillimit të të drejtave të njeriut që përputhet me prirjen e kohëve dhe me kushtet e veta kombëtare, duke u dhënë përparësi kryesore të drejtave për mbijetesë e zhvillim. Si një vend në zhvillim me më shumë se 1.4 miliard banorë, Kina i ka dhënë një zgjidhje historike problemit të varfërisë absolute dhe ka krijuar një shoqëri të begatë në tërësi.
Kina është e angazhuar për zhvillimin me cilësi të lartë, me anë të risive teknologjike e mbrojtjes mjedisore, duke arritur bashkëjetesën harmonike midis njeriut dhe natyrës. Kina ndjek zhvillimin paqësor, ka paraqitur tre nisma përkatësisht lidhur me zhvillimin, sigurinë e qytetërimin, dhe nxit mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke garantuar sigurinë, duke shpënë përpara zhvillimin dhe duke shtuar bashkëpunimin. Kina është e përkushtuar në ndërtimin e një bote të hapur, përfshirëse, të pastër e të bukur, me paqe të përhershme, siguri universale dhe lulëzim të përbashkët.
Pjesëmarrësit theksuan se gjendja e tanishme ndërkombëtare ekonomike dhe e sigurisë paraqet sfida të shumta ndaj të drejtave të njeriut. Sipas tyre, rruga kineze drejt modernizimit ka dhënë përvojë të vlefshme për zhvillimin e shëndetshëm të çështjes globale të të drejtave të njeriut.