Zjarret pyjore detyrojnë evakuimin e mijëra personave në Kaliforni
2024-07-05 13:01:54

Foto nga VCG

Autoritetet amerikane në Kaliforni janë vendosur në gatishmëri të lartë pas shpërthimit të disa zjarreve të mëdha pyjore. Mijëra banorë janë evakuar, shkruan “RTSH”.

Zjarri më i rrezikshëm është aktualisht “Thompson Fire” në Oroville, në veri të kryeqytetit të shtetit Sacramento, raportoi media lokale.

Një zëdhënës i zyrës së sherifit deklaroi se rreth 13.000 banorë në Butte County u larguan nga shtëpitë e tyre.

Departamenti i Pyjeve dhe Mbrojtjes nga Zjarri në Kaliforni bëri të ditur se deri më tani nuk ishte raportuar asnjë humbje jete.

Më shumë se 500 zjarrfikës po luftojnë me flakët në Oroville. Shkaku i saktë i zjarrit në pyll është ende duke u hetuar.

Zjarret në pyje ndodhin vazhdimisht në Kaliforni gjatë periudhave të nxehtësisë ekstreme, thatësirave të rënda dhe stuhive.

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit të SHBA-së, një valë e re e të nxehtit mund të rrisë temperaturat mbi 40 gradë celsius.

Në vend është lëshuar një paralajmërim për kushtet ekstreme të zjarrit dhe nxehtësinë e tepërt. (Irma)