Foto nga ATSH
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, e ka nisur nga Kurbini dhe Shkodra turin e konsultimeve publike për rishikimin e dy ligjeve, “Për rininë” dhe “Për vullnetarizmin”.
Gjatë këtyre takimeve, të rinjtë patën mundësinë të shpalosnin rekomandimet dhe sugjerimet e tyre për përmirësimin e legjislacionit që prek rininë dhe vullnetarizmin, shkruan “ATSH”.
Në diskutimet e tyre, të rinjtë theksuan nevojën për përfshirjen e përfaqësuesve të qeverive të nxënësve në Këshillin Kombëtar të Rinisë, duke theksuar se përfaqësimi i drejtë i komunitetit rinor kërkon kuota të dedikuara për të rinjtë në kushte margjinalizimi dhe kritere për barazinë gjinore.
Sa i përket ligjit “Për vullnetarizmin”, të rinjtë vlerësuan programet vullnetare me shtrirje të ndryshme kohore, duke preferuar më shumë ato që zgjasin nga një deri në tre muaj.
Ata theksuan nevojën e mbulimit të shpenzimeve vetjake për vullnetarët dhe njohjen e periudhës së vullnetarizmit si vjetërsi pune dhe për aplikime për studime.
Gjatë takimit, të rinjtë plotësuan anketa ku shprehën mendimet e tyre mbi financimin e projekteve vullnetare dhe mënyrat më të përshtatshme për të marrë informacion mbi projekte dhe nisma vullnetare.
Turi “Rinia ndryshon ligjet” synon të sigurojë që zëri i të rinjve të dëgjohet dhe të përfshihet në procesin e rishikimit të ligjeve që u prekin drejtpërdrejt atyre, njësoj me praktikën e ndjekur për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Rinisë. (Irma)