Kina do të rrisë mbështetjen e teknologjisë së informacionit në funksionimin e spitaleve publike
2024-07-04 12:57:35

Foto nga VCG

Kina planifikon të përmirësojë përdorimin e teknologjisë së informacionit (IT) në spitalet publike, duke krijuar platforma informacioni të integruara të funksionimit dhe menaxhimit në të gjitha spitalet publike terciare në mbarë vendin deri në fund të vitit 2027, shkruan “Xinhua”.

Deri në fund të vitit 2025, gati 50 për qind e këtyre spitaleve do të përpiqen të miratojnë këto platforma, sipas një qarkoreje të lëshuar nga Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë dhe Administrata Kombëtare e Mjekësisë Tradicionale Kineze.

Autoritetet shëndetësore kineze kanë theksuar rëndësinë e rafinimit, standardizimit dhe dixhitalizimit të menaxhimit të procesit të brendshëm në institucionet mjekësore publike për të arritur menaxhim efikas dhe zhvillim me cilësi të lartë në sektor. Për të arritur këto qëllime, do të merren masa për të përmirësuar aplikimin e teknologjive moderne të informacionit si inteligjenca artificiale, të dhënat e mëdha dhe “cloud computing”.

Fokusi do të jetë në përmirësimin e ndërveprimit dhe shkëmbimit të të dhënave ndërmjet sistemeve të ndryshme të informacionit të brendshëm, duke shfrytëzuar rolin mbështetës të teknologjisë së informacionit në integrimin e biznesit dhe menaxhimit ekonomik.

Ndërkohë, autoritetet shëndetësore do të vazhdojnë goditjen e tyre ndaj aksesit të paligjshëm në fondet e sigurimeve shëndetësore nga institucionet shëndetësore përmes një operacioni special trevjeçar, thuhet në qarkore.

Masa synon të frenojë mashtrimin dhe të rregullojë praktikat që lidhen me diagnozën, trajtimin dhe çmimin.

Qarkorja theksoi gjithashtu nevojën për të forcuar auditimin dhe mbikëqyrjen përmes teknologjive të informacionit dhe për të krijuar një mekanizëm të fuqishëm mbikëqyrës afatgjatë.

Kina ka rreth 12.000 spitale publike, nga të cilat 2800 janë spitale publike terciare, të cilat luajnë rol vendimtar në ofrimin e shërbimeve të specializuara mjekësore dhe shëndetësore. Këto spitale janë të njohura për ekspertizën e tyre teknike, aftësitë menaxhuese dhe kapacitetet kërkimore. (Elona)