Baerbock: Gjermania duhet të investojë në siguri, pavarësisht buxhetit të limituar
2024-07-03 14:54:59

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock (Foto ATSH)

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock (Foto ATSH)

Ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock, tha se Gjermania duhet të vazhdojë të bëjë investime të mëtejshme në siguri, pavarësisht presionit intensiv për të bërë shkurtime në negociatat e vështira për buxhetin e vitit 2025.

Ministri i Financave, Christian Lindner, i Partisë Demokratike të Lirë (FDP) pro biznesit, ka kërkuar që qeveria e koalicionit t’i përmbahet rregullave të rrepta kundër deficiteve buxhetore, të njohura si “Frenimi i borxhit”.

Por, Baerbock tha se Gjermania duhet të marrë një rol udhëheqës në adresimin e kërcënimeve serioze ndaj paqes dhe sigurisë europiane, edhe nëse kjo nënkupton marrjen e borxhit, shkruan “ATSH”.

“Do të ishte më fatale nëse do të na duhej të thoshim pas disa vitesh se ne kemi shpëtuar “frenimin e borxhit”, por kemi humbur rendin tonë paqësor europian”, - paralajmëroi Baerbock, në një ngjarje të organizuar në Berlin nga Akademia Federale për Politikat e Sigurisë.

“Kjo do të jetë pyetja që fëmijët tanë do të na bëjnë pas disa vitesh”,- shtoi ajo.

Baerbock tha se ishte e irrituar nga diskutimet, ku mbështetja për Ukrainën trajtohej si një gjest bamirësie dhe jo si ajo që është në të vërtetë, një investim në sigurinë kombëtare të Gjermanisë.

“Nuk mund të ketë vërtet një interes më të madh kombëtar”, - tha ajo.

Baerbock kritikoi një diskurs publik në Gjermani ku shumë njerëz duket se mirëpresin sigurinë shtesë, por nuk kanë interes të paguajnë koston. (Elona)