Moti i keq në Europë shkakton viktima dhe dëme
2024-07-02 16:17:36

Moti i keq ne Europe (Foto Rtsh)

Moti i keq ne Europe (Foto Rtsh)

Stuhitë e egra dhe shirat e rrëmbyeshëm që goditën Francën, Zvicrën dhe Italinë këtë fundjavë kanë lënë 5 persona të vdekur, thanë autoritetet lokale, njofton “RTSH”.

Tre persona humbën jetën në rajonin verilindor Aube të Francës, kur një pemë ra mbi makinën në të cilën ata po udhëtonin.

Në Zvicër, dy persona vdiqën dhe një i tretë u zhduk pasi shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan një rrëshqitje dheu në juglindje.

Shërbimet e emergjencës kanë evakuuar 300 persona, të cilët kishin mbërritur për një turne futbolli në Peccia, ndërsa 70 të tjerë u evakuuan nga një kamp pushimi në fshatin Mogno.

Në luginën Aosta të Italisë veriore pati përmbytje nga lumenjtë e fryrë nga reshjet e dendura të shiut.

Shkencëtarët thonë se ndryshimi i klimës po rrit ashpërsinë, frekuencën dhe kohëzgjatjen e ngjarjeve ekstreme të motit, si përmbytjet dhe stuhitë. (Fatosi)