Ndërron jetë kolosi i letërsisë shqiptare, Ismail Kadare
2024-07-02 09:54:49

Foto nga Informim

Është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare shkrimtari Ismail Kadare, kolosi i letërsisë shqiptare dhe autor i shumë veprave dhe poemave të përkthyera në shumë gjuhë të botës, shkruan “RTSH”.

Kadare ka ndërruar jetë nga një atak në zemër, në një spital në Tiranë.

Ismail Kadare lindi në Gjirokastër më 28 janar 1936 dhe në karrierën e tij ka qenë akademik, politikan dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.

Kadare nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar.

Por ai kontribuoi edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime.

Deri më sot veprat e Kadaresë janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.

Shkrimtari Ismail Kadare është kandiduar disa herë për çmimin “Nobel” në Letërsi.

Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit”, nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit” dhe nga mbreti i Spanjës me çmimin “Princi i Asturias”. (Fatosi)