Takim Shqipëri-Britani për bashkëpunimin kundër krimit të organizuar
2024-06-30 15:52:26

Foto nga RTSH

Përfaqësues nga agjencitë qeveritare të Mbretërisë së Bashkuar dhe akademikë morën pjesë në tryezën e rrumbullakët, e krijuar për të lehtësuar dialogun mbi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Dialogu u fokusua në rëndësinë e përmirësimit të të kuptuarit të përbashkët të kërcënimeve më të rëndësishme. Pjesëmarrësit theksuan vlerën e punës së deritanishme të SPAK-ut dhe eksploruan mundësitë për rritjen e koordinimit dhe mbështetjes mes dy vendeve për Agjencinë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, shkruan “RTSH”.

“SPAK është i vendosur për forcimin e angazhimit Britani-Shqipëri në bashkëpunimin gjyqësor dhe ligjzbatues dhe e sheh partneritetin me Mbretërinë e Bashkuar si jetik në luftën kundër krimit të organizuar transnacional dhe korrupsionit. Duke pasur parasysh kompleksitetin dhe natyrën e tyre tranzicionale, as SPAK dhe as një komb i vetëm nuk mund të trajtojë efektivisht krimin e organizuar, korrupsionin, trafikimin e qenieve njerëzore, krimin financiar ose krimin kibernetik. Ne e vlerësojmë këtë mundësi për të punuar me aktorë të ndryshëm dhe është thelbësore që të vazhdojmë shkëmbimin e njohurive mes dy vendeve, në mënyrë që të mund t'i trajtojmë së bashku këto kërcënime përmes mbështetjes dhe mësimit të ndërsjellë”,- deklaroi Altin Dumani, kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit të Shqipërisë, SPAK.  (Irma)