Foto nga VCG
Mijëra persona protestuan para banesës private të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në Cezare, afër Tel Aviv, duke kërkuar lirimin e pengjeve të marra nga Hamasi ditën e sulmit më 7 tetor 2023, që startoi dhe luftën në Gaza, shkruan “ATSH” duke cituar burime të medieve lokale.
Negociatat indirekte për lirimin e rreth 100 pengjeve të gjallë, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari, aktualisht janë bllokuar.
Kritikët akuzojnë kryeministrin izraelit se ai nuk kërkon një marrëveshje pengjesh për të shmangur tjetërsimin e partnerëve ultra-fetarë dhe të krahut të djathtë në koalicionin e tij.
Protestat kundër Netanyahut janë intensifikuar javët e fundit.
Demonstratat më të fuqishme po zhvillohen në metropolin bregdetar të Tel Avivit.
Banesa private e Netanyahut në resortin bregdetar të Cezaresë, 50 kilometra në veri të Tel Avivit, është vazhdimisht skena e protestave kundër kreut të qeverisë izraelite. (Irma)