Ndryshimet në Ligjin për Veterinarinë, ministrja Denaj: Hap drejt modernizimit dhe stardadeve të BE-së
2024-06-29 12:11:25

Foto nga ATSH

Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet në ligjin “Për shërbimin veterinar”. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, i cilësoi me rëndësi këto ndryshime, që, sipas saj, synojnë përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së produkteve mjekësore veterinare, rritjen e përgjegjësisë dhe efikasitetit të autoriteteve veterinare dhe harmonizimin me standardet e BE-së, shkruan “ATSH”.

Sipas saj, përmes këtij ligji ministria ndërmerr një hap të madh drejt modernizimit të shërbimeve veterinare dhe përafrimit me standardet e BE-së.

Ministrja theksoi se mbështetja dhe miratimi i këtyre ndryshimeve tregon përkushtimin e qeverisë për përmirësimin e shëndetit të kafshëve dhe sigurinë ushqimore në Shqipëri.

Sipas saj, ky ligj sjell përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së produkteve mjekësore veterinare, rritje të përgjegjësisë dhe efikasitetit të autoriteteve veterinare në Shqipëri si dhe harmonizim me standardet ndërkombëtare dhe ato të BE-së. (Irma)