Hyn në fuqi në Gjermani ligji i ri për shtetësinë
2024-06-28 11:01:52

Pasaporta gjermane (Foto Rtsh)

Hyri në fuqi në Gjermani ligji i ri për shtetësinë. Ministrja e brendshme, Nancy Faeser, e cilësoi ligjin një reforme që njeh Gjermaninë moderne dhe që do të fuqizojë pozitën e vendit në arenën ndërkombëtare, shkruan “RTSH”.  

Sipas ligjit të ri, nëse ke të paktën pesë vite që banon në Gjermani, ke të drejtë të aplikosh për pasaportë gjermane, pavarësisht statusit të qëndrimit.

Nëse tregon se ke shënuar arritje mbresëlënëse në punë apo flet gjermanishten në nivel të lartë, mund të aplikosh për shtetësi pas tre vitesh qëndrimi në këtë vend. 

Deri tani, të huajt kanë mundur të aplikojnë për shtetësi vetëm pas tetë vitesh qëndrimi.

Pasaportë gjermane nuk mund të marrin ata që kanë qëndrime antisemitike apo raciste si dhe ata që nuk respektojnë barazinë gjinore apo që jetojnë në bashkësi poligame.

Fëmijët e prindërve që janë shtetas të huaj marrin nënshtetësinë gjermane nëse njëri nga prindërit ka qëndruar në Gjermani në mënyrë të ligjshme për më shumë se pesë vite. Më parë, kjo ishte e mundur vetëm pas tetë vjetësh. (Irma)