Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi (Foto ATSH)
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, në fjalën e tij në Konferencën VI Kombëtare të së Drejtës për Informim, u shpreh se Shqipëria ka përafrim gati 100% të kuadrit ligjor me Bashkimin Europian.
Sipas Dervishit, rruga drejt arritjes së standardeve më të larta të transparencës është ende e gjatë dhe e vështirë, citon “RTSH”.
Po ashtu, Dervishi nënvizoi se procesi “screening” tregoi se administrata publike është e aftë për të përballuar sfidat e integrimit europian të vendit.
“Mund të konsiderohemi një nga vendet me kuadrin ligjor më të plotë për të drejtën për informim. Kemi një nga ligjet më të mira në botë dhe përmirësimet e vitit të kaluar e forcojnë edhe më tepër zbatimin e tij. Kemi përafrim gati 100% të kuadrit ligjor me BE-në për sa u përket të dhënave të hapura dhe përdorimin e informacionit publik”, - u shpreh ai.
Dervishi shtoi se çdo proces transparent e bën gati të pamundur korrupsionin dhe çdo akt korruptiv një nga elementët kryesorë ka mungesën e transparencës.
“Transparenca dhe lufta kundër korrupsionit janë të lidhura ngushtësisht sepse përjashtojnë njëra-tjetrën”,- theksoi Dervishi. (Elona)