Kryeministri Rama: Bord kombëtar për të monitoruar të drejtën e informimit
2024-06-27 11:40:38

Kryeministri Edi Rama (Foto RTSH)

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se Shqipëria ka një nga legjislacionet më të mirë lidhur me të drejtën për informim. Problem sipas tij mbetet zbatimi.

Gjatë Konferencës VI Kombëtare Për të Drejtën e Informimit, kryeministri Rama pati kritika për institucionet që nuk zbatojnë të drejtën e qytetarëve apo grupeve të interesit për informim dhe tha se transparenca dhe e drejta për informim është mënyra më e mirë për të luftuar dezinformimin, citon “RTSH”.

Rama shtoi se duhet të krijohet një bord kombëtar për monitorimin e sigurimit të së drejtës për informim.

“Është koha që ne të krijojmë një bord kombëtar me pjesëmarrjen patjetër të qeverisë, pushtetit vendor, me Komisionerin Publik, me Avokatin e Popullit, dhe sigurisht edhe me agjenci të tjera, Agjencinë për Dialog dhe Qeverisje që mund të luajë një rol në këtë pjesë, për të pasur një plan të përbashkët pune për sigurinë e të drejtës së informimit. Në pjesën më të madhe problemi është se nuk ka një vetëdije për dhënien e informacionit në kohë reale dhe kjo gërryen besimin e qytetarëve”,-tha Rama.

Kryeministri shqiptar theksoi se e drejta për informim është pronë shtetërore dhe jo sekret hetimor, ndërsa shtoi se edhe kur dalin sekrete hetimore nuk është faj i gazetarit, por i atyre që duhet të ruanin këtë sekret hetimor. (Elona)