Librat për fëmijë, ofertat kryesore në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Pekin
2024-06-26 18:28:29


foto nga CFP

1426 marrëveshje dhe deklarata synimi për eksportet e të drejtave të autorit të librave u arritën në Panairin e 30-të Ndërkombëtar të Librit të Pekinit, i cili u mbyll të dielën, me librat për fëmijë që renditen të parët në numrin e marrëveshjeve, bën të ditur “Xinhua”.

Gjatë panairit pesëditor të librit, botuesit kinezë prezantuan një numër librash me figura për fëmijë dhe vepra letrare të disponueshme për shitje me të drejtë autori për botim në gjuhë të tjera.

Lin Yun, kreu i Shtëpisë Botuese të Paqes në Kinë, e cila prezantoi një seri librash kinezë me figura për fëmijë në panair, tha se librat e mirë për fëmijë shërbejnë si një urë për shkëmbimet kulturore. Ajo tha se kompania shpreson të sjellë vepra informuese dhe dalluese për fëmijët në vende të ndryshme.

foto nga CFP

Të dhënat zyrtare tregojnë se librat për fëmijë përbëjnë segmentin më të madh të tregut të shitjes me pakicë të librave në Kinë, duke zënë rreth 27 për qind të pjesës së tregut.

Panairi i librit shfaqi gjithashtu bashkëpunimin midis botuesve kinezë dhe institucioneve të huaja për prodhimin dhe botimin e librave për fëmijë.

Wu Shulin, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kinës, tha se Kina ishte bërë një qendër energjike në botimin e librave për fëmijë. Ai tha se industria kineze e librave për fëmijë ka përmirësuar prodhimin e përmbajtjes dhe promovimin jashtë shtetit duke mësuar nga përvojat e suksesshme të huaja.

“Rruga që librat kinezë për fëmijë të arrijnë botën po bëhet gjithnjë e më e gjerë”,- tha ai.

I themeluar në vitin 1986, Panairi Ndërkombëtar i Librit në Pekin është ndër panairet më të mëdha të librit në botë dhe është bërë një nga panairet kryesore ndërkombëtare të librit dhe platformat e tregtimit të të drejtave të autorit në Kinë. (Elona)