BE-ja e shqetësuar për përshkallëzimin e situatës në Liban
2024-06-25 10:37:53

Kryediplomati europian - kryediplomatja gjermane (Foto Atsh)

Shefi për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në BE, Josep Borrell, deklaroi se lufta midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza rrezikon të përhapet edhe në Liban.

Sipas tij, situata në kufirin Izrael-Liban, ku forcat izraelite dhe milicitë e Hezbollahut të mbështetur nga Irani shkëmbejnë zjarr çdo ditë, po përkeqësohet, shkruan “ATSH”.

Izraeli po ushtron presion ushtarak dhe diplomatik ndaj Hezbollahut me synimin për të tërhequr anëtarët e tij pas lumit Litani, 30 kilometra larg kufirit, siç përcaktohet në një rezolutë të Kombeve të Bashkuara për konfliktin e vitit 2006.

Megjithatë, ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, paralajmëroi se mund të kryhet një operacion më i madh ushtarak nëse do të jetë e nevojshme.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se një përshkallëzim i mëtejshëm do të ishte një katastrofë për të gjithë njerëzit e Lindjes së Mesme.

Gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së, në Luksemburg, kryediplomatja gjermane përsëriti thirrjet për një armëpushim në Gaza. (Irma)