BE-ja i tërheq vëmendjen Gjeorgjisë rreth ligjin për agjentët e huaj
2024-06-25 15:26:44

Kryediplomati europian (Foto Rtsh)

Kryediplomati europian (Foto Rtsh)

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell, i tërhoqi vëmendjen Gjeorgjisë duke e paralajmëruar se mund t’i ndërpritet rrugëtimi për t’u bashkuar me Bllokun, nëse zbaton ligjin “Për agjentët e huaj”, shkruan “RTSH”.

“Dera që Gjeorgjia të bëhet anëtare e Bashkimit Europian është e hapur, por nëse qeveria vazhdon në të njëjtën rrugë, kjo derë do të mbyllet dhe do të jetë populli gjeorgjian që do të vuajë pasojat”,- tha Borrell në një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së.

Partia në pushtet në Gjeorgji, vend i cili u bë zyrtarisht kandidat për t'u bashkuar me BE-në në dhjetor 2023, këtë muaj miratoi një ligj të diskutueshëm për ndikimin e huaj, i cili u dënua nga mbështetësit perëndimorë të Gjeorgjisë.

Sipas Borrell, lëvizjet fillestare që pritet të diskutohen nga ministrat e Jashtëm mund të përfshijnë ndalimin e financimit për forcat e sigurisë të Gjeorgjisë, reduktimin e financimit të qeverisë ose ndërprerjen e takimeve të nivelit të lartë. “Ne nuk duam të dëmtojmë popullin e thjeshtë, nuk duam t’u shkaktojmë më shumë dhembje”,- tha Borrell.  (Fatosi)