Gjykata e lartë e Kinës nxjerr interpretime për paditë civile antitrust
2024-06-25 20:41:49

Foto: Ndërtesa e gjykatës së lartë të Kinës. / Gjykata e Lartë Popullore e Kinës

Gjykata e Lartë Popullore e Kinës publikoi interpretime të reja gjyqësore për paditë civile antitrust të hënën, që do të hyjnë në fuqi më 1 korrik. Këto udhëzime synojnë të trajtojnë sfidat e paraqitura nga modelet e reja ekonomike dhe konkurrenca ndërkombëtare, duke treguar angazhimin e Kinës ndaj praktikave të drejta të tregut dhe zhvillimit ekonomik. 

Dokumenti me 51 pika mbulon një gamë të gjerë rastesh, duke përfshirë çështjet procedurale, përcaktimin e tregut, marrëveshjet monopol, abuzimin me mbizotërimin e tregut dhe përgjegjësitë civile në rastet antitrust. 

Zv.kryetari i Gjykatës së Pronësisë Intelektuale të Gjykatës së Lartë Popullore He Zhonglin foli mbi kompleksitetetet e reja të çështjeve antitrust në teknologjinë e informacionit dhe ekonominë digjitale, në sfondin e sfidave që paraqit ekonomia digjitale në lulëzim.

Ai tha se, ndërsa teknologjia e informacionit dhe ekonomia digjitale nxisin rritjen ekonomike dhe përmirësojnë jetesën e njerëzve, ato sjellin gjithashtu sfida të reja për zbatimin e ligjit dhe legjislacionin kundër monopolit. 

He vuri në dukje që, megjithëse konkurrenca në çmim midis ekonomive digjitale është zvogëluar, konkurrenca mbi cilësinë, llojshmërinë e risitë është rritur. Prandaj, interpretimet e reja bëjnë përshtatje e rregullime të mëtejshme për të trajtuar disa çështje.

 Një tjetër fokus kryesor në hartimin e interpretimeve të reja gjyqësore është çështja e barrës së provës në procedurat civile antitrust. 

Interpretimet e reja i lejojnë palët të kërkojnë këshillën e ekspertëve mbi çështje të specializuara e të porositin kërkime tregu ose analiza ekonomike nga institucionet profesionale. 

Dokumenti përkon me dyvjetorin e rishikimit të "Ligjit antitrust", që përditësoi versionin e mëparshëm të vitit 2012. Në periudhën e viteve 2013 - 2023, gjykatat kineze përmbyllën 977 çështje civile antitrust në shkallë të parë. (Artan)