Greqi – Shkaktuan zjarr në ishull, arrestohen 13 anëtarë të ekuipazhit të një jahti
2024-06-24 11:50:54

Zjarre në Greqi (Foto ATSH)

Autoritetet greke kanë arrestuar 13 anëtarë të ekuipazhit të një jahti me dyshimin për zjarrvënie, shkruan ATSH. Thuhet se ekuipazhi lëshoi fishekzjarrë në ishullin e njohur turistik të Hidrës për të argëtuar mysafirët, por shkëndijat i vunë flakën pyllit të vetëm me pisha të ishullit.

Të dyshuarit fillimisht u përpoqën të shuanin flakët më pas thirrën zjarrfikësit dhe u larguan nga zona.

Njerëzit në bordin e varkave të tjera e panë aksidentin dhe e raportuan tek autoritetet, raportojnë mediat greke. Të arrestuarit do të dalin para drejtësisë, thanë zjarrfikësit.

Kryetari i bashkisë së ishullit shprehu zemërimin në një intervistë televizive, duke thënë se çfarëdo që të bëjnë autoritetet qendrore, komuniteti i ishullit gjithashtu do të ngrejë akuza kundër autorëve. (Fatosi)