foto: ATSH
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, deklaroi se kanë avancuar bisedimet mes Shqipërisë dhe Italisë për sigurimet shoqërore.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, cituar nga “ATSH”, ministri Gonxhja bëri të ditur se delegacioni shqiptar, i kryesuar nga zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, dhe ai italian, i kryesuar nga përfaqësuesja e Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale, Caterina Francomano, zhvilluan bisedime të frytshme dhe ranë dakord për përmbajtjen e marrëveshjes administrative, si dhe për të shkëmbyer draftet e formularëve përkatës.
“Takimi kishte për qëllim që marrëveshja e sigurimeve shoqërore të bëhet e zbatueshme. Pas shkëmbimit të instrumenteve të ratifikimit, të dy delegacionet u angazhuan të zhvillojnë sa më shpejt takime të ndërsjella ndërinstitucionale”,- bëri të ditur ministri Gonxhja.
Ai thekson se mbi 500 mijë shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë dhe punojnë në Itali, pritet të përfitojnë nga zbatimi i kësaj marrëveshjeje, e cila u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë pak kohë më parë.