I nxehti ekstrem shkakton viktima gjatë pelegrinazhit të haxhit në Arabinë Saudite
2024-06-18 17:58:01

Arabia Saudite (Foto Rtsh)

Arabia Saudite (Foto Rtsh)

Të paktën 14 qytetarë jordanezë kanë vdekur gjatë pelegrinazhit të haxhit në Arabinë Saudite, për shkak të nxehtësisë, shkruan “RTSH”.

Ministria e Jashtme e Jordanisë njoftoi se 14 nga shtetasit e saj kishin vdekur, pasi pësuan goditje nga dielli për shkak të valës ekstreme të të nxehtit, ndërsa 17 të tjerë janë raportuar të zhdukur, për të cilët vijojnë kërkimet.

Gjysmëhëna e Kuqe iraniane konfirmoi se 5 pelegrinë iranianë kishin humbur jetën, por nuk specifikoi se si vdiqën.

Haxhi është një nga tubimet masive më të mëdha në botë. Më shumë se 1.8 milionë pelegrinë morën pjesë këtë vit, sipas zyrtarëve sauditë.

Temperaturat i tejkaluan 46 gradë celcius këtë javë, duke i bërë sfiduese shumë nga ritualet që kryhen jashtë dhe në këmbë, sidomos për të moshuarit.

Vitin e kaluar, humbën jetën të paktën 240 persona gjatë haxhit. (Fatosi)