Temperaturat e larta që kanë prekur Meksikën kanë rezultuar në vdekjen e 125 personave në mbarë vendin deri më tani këtë vit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, shkruan “Panorama”.
Vapë në Meksikë(Foto:VCG)
Meksika aktualisht po përjeton temperatura përvëluese, me valën e katërt të të nxehtit në ardhje. Kushtet ekstreme të motit kanë rezultuar gjithashtu në 2308 raste të goditjes nga nxehtësia.
Sipas raportit nga Ministria e Shëndetësisë, ndërmjet 6 dhe 12 qershorit, autoritetet shëndetësore regjistruan 35 vdekje dhe 371 raste mjekësore në lidhje me temperaturat që i kalonin 45 gradë celsius në disa shtete.
Në raport thuhet se dhjetë vdekje i atribuohen valës së dytë të të nxehtit dhe 19 të tjera valës së tretë, e cila zgjati nga maji deri në javën e parë të qershorit.
Shumica e vdekjeve janë përqendruar në rajonet lindore të Meksikës, me Veracruz, një shtet bregdetar, duke raportuar 43 vdekje nga totali.
Tabasco, gjithashtu në juglindje, ka raportuar 18 vdekje, duke e bërë atë shtetin e dytë më të prekur, i ndjekur nga Tamaulipas, në bregun verilindor dhe në kufi me SHBA-në, me 15 vdekje të raportuara.
Sipas një raporti nga Komisioni Kombëtar i Ujit, pas përfundimit të valës së katërt pritet një tjetër valë e të nxehtit.
Ekspertët paralajmërojnë se shtetet në pjesën veriperëndimore të vendit mund të kenë temperatura mbi 45 gradë Celsius. (Irma)