Kina synon të përmirësojë kujdesin për të moshuarit në zonat rurale
2024-06-16 12:11:00

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Qeveria kineze ka publikuar një sërë udhëzimesh për përshpejtimin e zhvillimit të shërbimeve të kujdesit për të moshuarit në zonat rurale, duke përfaqësuar një plan kombëtar gjithëpërfshirës dhe sistematik në këtë drejtim, bëri të ditur Ministria e Çështjeve Civile, citon “Xinhua”.

Udhëzimet përcaktojnë objektiva që duhet të përmbushen deri në vitin 2025. Sipas tyre, rrjeti i shërbimit të kujdesit për të moshuarit në zonat rurale duhet të përmirësohet më tej. Shkalla e përgjithshme e mbulimit të qendrave të shërbimit të kujdesit për të moshuarit në nivel bashkie duhet të jetë jo më pak se 60 për qind.

Popullsia e Kinës 60 vjeç e lart e ka tejkaluar 296 milionë, tregojnë të dhënat e reja. Baza e madhe e të moshuarve në vend dhe popullsia në plakje të shpejtë kanë çuar në rritjen e kërkesës për kujdesin ndaj të moshuarve.

Shërbimet e kujdesit për të moshuarit në zonat rurale të Kinës po përballen me nevoja më urgjente dhe problemet janë më të theksuara se ato në zonat urbane. Përqindja e të moshuarve të moshës 60 vjeç e lart në zonat rurale është 23.81 për qind, 7.99 pikë përqindje më e lartë se ajo e banorëve në zonat urbane.

Kina ka gati 16.000 shtëpi të moshuarish dhe të kujdesit për të moshuarit në zonat rurale, që sigurojnë mbi 1.68 milionë shtretër.

Vendi ka rreth 145.000 objekte të kujdesit për të moshuarit me ndihmë të ndërsjellë në zonat rurale, por komoditeti dhe aksesi i këtyre objekteve duhet të përmirësohet, sipas ministrisë.

Sipas udhëzimeve, ndërmarrjet shtetërore dhe private inkurajohen të operojnë objekte të shërbimit të të moshuarve në zonat rurale.

Në janar, Këshilli i Shtetit nxori një dokument për nxitjen e zhvillimit të ekonomisë së argjendtë, duke propozuar masa në fusha të tilla si ushqimi, strehimi, transporti, kujdesi për të moshuarit dhe menaxhimi i shëndetit të të moshuarve. (Irma)