Kryeministri grek (Foto Atsh)
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, bëri ndryshime në qeveri, pas rezultatit të zgjedhjeve europiane, ku partia e tij Demokracia e Re doli forca kryesore politike, pavarësisht se nuk arriti objektivin e caktuar prej 33%, rezultati i zgjedhjeve të mëparshme europiane, shkruan “ATSH”.
Konservatorët morën 28% të votave në zgjedhjet europiane, shumë më poshtë se 40% e mbështetjes që fituan vetëm një vit më parë në zgjedhjet kombëtare.
Zëdhënësi i qeverisë, Pavlos Marinakis, bëri të ditur se ministri i ri i Zhvillimit është emëruar Takis Theodorikakos, ndërsa ministrja e re e Punës, Niki Kerameus.
“Dëshira për një ndryshim brenda dy ministrive u motivua nga fakti se rritja e kostos së jetesës është një nga shqetësimet kryesore që ndikoi në votën e grekëve dhe penalizoi qeverinë në qendrat e votimit”,- shkruajnë mediet vendase.
Kostas Tsiaras u emërua ministër i ri i Bujqësisë, Nikos Panagiotopoulos mori postin e ministrit të Emigracionit dhe Azilit, ndërsa Thodoris Livanios u zgjodh si ministër i Brendshëm.
“Është detyra ime të lexoj mesazhin e votuesve grekë dhe të vazhdoj me veprimet korrigjuese”,- deklaroi kryeministri grek gjatë një interviste televizive, pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve europiane. (Irma)