Euro 2024, policë nga e gjithë Europa për masat mbrojtëse në Gjermani
2024-06-15 10:58:06

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Oficerë policie nga e gjithë Europa kanë shkuar në Gjermani për të ndihmuar për masat mbrojtëse ndaj kërcënimeve të mundshme gjatë Kampionatit Europian të Futbollit.

Ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser, premtoi shtim të masave të sigurisë në prag në kuadër të Euro 2024, shkruan “Panorama”.

“Fokusi ynë kryesor është kërcënimi nga terrorizmi islamik, huliganët dhe veprimet e tyre, krimet ordinere dhe ato të dhunshme, por edhe nga rreziku i sulmeve kibernetike”,- tha Faeser në një takim me rreth 350 oficerët e huaj të dërguar në Gjermani për Kupën e Europës.

Grupe si Shteti Islamik kanë bërë thirrje tashmë për sulme gjatë kampionatit njëmujor të futbollit.

Gjermania parashikon që rreth 2.7 milionë njerëz do të ndjekin kampionatin në stadiumet anembanë vendit dhe rreth 12 milionë në mjediset e tjera jashtë stadiumeve, përfshirë një hapësirë të madhe me ekrane përpara Portës së Brandenburgut në Berlin.

Rreth 22.000 oficerë policie do të jenë në shërbim të pandërprerë për të mbrojtur sigurinë.

Autoritetet gjermane po punojnë gjithashtu me partnerët ndërkombëtarë për të identifikuar kërcënimet e mundshme. Vendi ka shtuar kontrollet kufitare. (Irma)