Armëpushimi Izrael-Hamas, kryediplomati amerikan takon kryeministrin palestinez
2024-06-13 10:44:55

Foto nga VCG

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, diskutoi detajet e marrëveshjes së armëpushimit Izrael-Hamas me kryeministrin palestinez Mohammad Mustafa.

“Sekretari Blinken theksoi përfitimet e marrëveshjes për palestinezët dhe izraelitët, duke përsëritur se Hamasi duhet të pranojë propozimin pa vonesa të mëtejshme”,- deklaroi zëdhënësi Matthew Miller në një deklaratë, citon “RTSH”.

“Sekretari Blinken mirëpriti njoftimet e reformës nga Autoriteti Palestinez dhe diskutoi me kryeministrin Mustafa nevojën për zbatimin e plotë dhe të qëndrueshëm të atyre reformave për të arritur aspiratat e palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe në Gaza. Ai ripohoi mbështetjen e SHBA-së për krijimin e një shteti të pavarur palestinez me garanci sigurie për Izraelin”,- tha Miller.

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi gjithashtu edhe për 404 milionë dollarë ndihmë humanitare për palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Rripin e Gazës të rrethuar.

“Ky financim i ri do të ofrojë mbështetje thelbësore për palestinezët e cenueshëm në Gaza, Bregun Perëndimor dhe rajon, duke përfshirë ushqimin, ujin e pijshëm të sigurt, kujdesin shëndetësor, mbrojtjen, arsimin, strehimin dhe mbështetjen psikosociale. SHBA-ja mbetet e përkushtuar për të adresuar çështjet humanitare dhe nevojat e të prekurve nga kriza. Ne u bëjmë thirrje donatorëve të tjerë që të kontribuojnë në përgjigjen humanitare në Gaza dhe rajon, të rrisin mbështetjen për ata që janë prekur nga konflikti dhe të punojnë së bashku për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për krizën”,- thuhet në deklaratën e DASH-it. (Elona)