Komiteti i Aushvicit shprehu tronditjen për fitoren e ekstremit të djathtë në zgjedhjet europiane
2024-06-11 15:37:07

Parlamenti Europian (Foto Liberale.al)

Parlamenti Europian (Foto Liberale.al)

Komiteti Ndërkombëtar i Aushvicit ka shprehur tronditjen e tij për performancën e fortë të partive të ekstremit të djathtë në zgjedhjet evropiane, njofton “ATSH”.

“Për të mbijetuarit e Holokaustit dhe kampet gjermane të përqendrimit dhe shfarosjes, ky rezultat zgjedhor përfaqëson një pikë kthese dëshpëruese. Europa po humbet dhe po harron veten, pasi në shumë vende po fitojnë ndikim partitë nacionaliste dhe të ekstremit të djathtë, të cilat në fakt përçmojnë idenë europiane të lindur nga tmerret e Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, Europa mbetet shpresa e madhe për të mbijetuarit e Holokaustit”,- deklaroi zëvendëspresidenti ekzekutiv i komitetit, Christoph Heubner.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ky komitet kërkon që partitë e tjera në Parlamentin Europian të mbrojnë këtë ide evropiane dhe të bashkohen kundër nxitjes së forcave ekstremiste të djathta.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Komiteti Ndërkombëtar i Aushvicit u themelua në vitin 1952 prej organizatave nga 19 vende. Në të u bashkuan rreth 20.000 të mbijetuar në Aushvic, një nga kampet e përqëndrimit më famëkeq gjatë Luftës së Dytë Botërore të ndërtuar nga nazistët. Qëllimi i tyre ishte mbajtja gjallë e kujtimit ndaj tmerrit të Aushvicit dhe transmetimi i tij edhe brezave të rinj. (Fatosi)