Franca drejt zgjedhjeve të parakohshme
2024-06-11 10:35:33

Foto nga VCG

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar se do të shpërndajë Parlamentin, ndërsa bëri thirrje për zgjedhje të reja pas performancës së mirë të partisë së ekstremit të djathtë Tubimi Kombëtar të Le Pen në zgjedhjet për PE-në, njofton “RTSH”.

“Ky është një vendim serioz, i rëndë, por mbi të gjitha është një akt besimi”,- deklaroi presidenti Macron, i cili theksoi se beson në kapacitetin e francezëve për të bërë zgjedhjen më të mirë për ta dhe për brezat e ardhshëm.

“Le të flasë populli sovran”,- deklaroi Macron, duke shtuar se Francës i duhej një shumicë e qartë në mënyrë që të mund të punonte me qetësi dhe harmoni dhe se ai kishte dëgjuar mesazhin e francezëve dhe shqetësimet e tyre.

“Nuk do t’i lë pa përgjigje”,- shtoi ai.

Presidenti francez ka kërkuar që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 30 qershor dhe 7 korrik.

Macron nuk dha dorëheqjen, por vetëm shpalli zgjedhje të parakohshme pasi, sipas tij, e djathta ekstreme ka 40% të votave, një situatë që nuk e bën të mundur dorëheqjen.  (Fatosi)