FMN: Ruajtja e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë, thelbësore për stabilitetin financiar
2024-06-09 13:19:23

foto: VCG

foto: VCG

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) vlerëson se ruajtja e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë është thelbësore për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit.

Drejtoresha e Departamentit të Komunikimit në FMN, Julie Kozack, tha se ruajtja e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë është e domosdoshme, në mënyrë që ky institucion të përmbushë misionin ligjor për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe atij financiar, shkruan “Panorama”.

Deklarata e Kozack u bë lidhur me çështjen ligjore të hapur nga Prokuroria ndaj disa institucioneve financiare jobanka, shoqërive përmbarimore dhe përmbarues gjyqësorë private për abuzimet në procesin e mbledhjes së detyrimeve të pashlyera.

“Ne nuk mund të komentojmë një hetim ligjor që është në zhvillim e sipër. Megjithatë, duam vetëm të sqarojmë një element specifik. Është një çështje e njohur publikisht që analizat në kuadër të programit të mbështetur nga FMN në vitet 2015 dhe 2016 identifikuan nivele të larta të kredive me probleme, si një element cenueshmërie për sektorin bankar. Në këtë kontekst, FMN miratoi planin e veprimit të autoriteteve shqiptare të vitit 2015 për të reduktuar kreditë me probleme. Ky plan, mes të tjerash, i dha Bankës së Shqipërisë mandatin e licencimit dhe mbikëqyrjes së shoqërive të menaxhimit të kredive me probleme, duke pasur parasysh ndërlidhjen e tyre me sistemin bankar. Gjithashtu, duam të shtojmë se ruajtja e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë është një faktor kyç për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe atij financiar”,- tha Kozack. 

Lidhur me këtë çështje, Banka e Shqipërisë shprehet se problematikat e evidentuara kanë ndodhur në fazën e ekzekutimit të detyrueshëm dhe në kryerjen e veprimeve përmbarimore në mbështetje të urdhrit të ekzekutimit. (Irma)