Sistemi privat i pensioneve në Kinë numëron mbi 60 milionë persona
2024-06-09 13:33:42

Më shumë se 60 milionë persona kanë hapur llogari private pensionesh që nga futja e sistemit privat të pensioneve në Kinë në fund të vitit 2022, treguan të dhënat nga Ministria e Burimeve Njerëzore dhe Sigurimeve Shoqërore, cituar nga “Xinhua”. 

foto: VCG

foto: VCG

Në nëntor 2022, sistemi i pensioneve i mbështetur nga qeveria, vullnetar dhe i orientuar nga tregu, ishte i hapur për qytetarët e kualifikuar në 36 qytete dhe rajone pilot, duke përfshirë Pekinin, Shangain, Guangzhou, Xi'an dhe Chengdu. Mekanizmi u lejon qytetarëve kinezë të kontribuojnë deri në 12.000 juanë (rreth 1687 dollarë amerikanë) çdo vit në llogaritë individuale të pensioneve, për të përfituar nga projektet financiare të pleqërisë. 

Aktualisht janë 762 projekte të veçanta për sistemin e pensioneve private, që kanë të bëjnë me kursimin, fondet, sigurimet dhe menaxhimin e aktiveve. 

Sipas të dhënave, grupi me të ardhura të mesme dhe të larta të moshës 31 deri në 40 vjeç kanë shfaqur interesin më të madh për hapjen e llogarive të tilla pensionale dhe përfitimin përkatës prej tyre, për t'u përgatitur paraprakisht për daljen në pension dhe për të gëzuar stimuj tatimorë. 

Kina ka një mekanizëm sigurimi me tre shtylla për pleqërinë, që mbulon sigurimin bazë kombëtar të pleqërisë, ndërmarrjet dhe anuitetet profesionale, si dhe produktet financiare komerciale të pleqërisë dhe sistemin privat të pensioneve. 

Ministria parashikon që në një fazë tjetër do të bëhen përpjekje për të nxitur më tej mbulimin e sistemit të pensioneve private. (Irma)