Protesta e fermereve (Foto Atsh)
Fermerët europianë protestuan në Bruksel kundër politikës bujqësore të BE-së, para zgjedhjeve të Parlamentit Europian.
Sipas Policisë belge, në protestë morën pjesë rreth 1200 protestues me rreth 500 traktorë, ndërsa organizatorët e protestës prisnin gati 25.000 pjesëmarrës.
Fillimisht, fermerët u mblodhën pranë “Atomium”, pak jashtë qendrës së Brukselit. Më pas, disa protestues u nisën me traktorët e tyre drejt Parlamentit Europian.
Sipas agjencisë “Belga”, traktorët vinin kryesisht nga rajoni belg i Flanders, Holanda dhe Polonia. Në protestë morën pjesë edhe traktorë që mbanin flamuj dhe posterë gjermanë, shkruan “ATSH”.
Protesta u organizua nga Lëvizja e Forcave të Mbrojtjes së Fermerëve.
Sipas një zëdhënësi të policisë, nuk ka pasur incidente.
Në të kaluarën, protestat e fermerëve në Belgjikë kanë dalë jashtë kontrollit, me objekte që janë hedhur ndaj oficerëve të policisë dhe janë ndezur zjarre. (Irma)