Greqia rrit masat e parandalimit të zjarreve
2024-06-06 15:02:42

Zjarret ne Greqi (Foto Bignewsnetwork)

Zjarret ne Greqi (Foto Bignewsnetwork)

Greqia po përgatitet për një verë jashtëzakonisht të vështirë dhe ka vendosur të forcojë parandalimin e zjarreve dhe mekanizmin e shuarjes së flakëve, pasi ndryshimet klimaterike paralajmërojnë për temperatura përvëluese dhe kërcënime të rritura, thanë zyrtarët grekë, citon “Xinhua”.

“Na pret një verë e vështirë, por ne jemi më të përgatitur”,- deklaroi kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.

Vitin e kaluar, 20 persona humbën jetën për shkak të zjarreve, mbi 120 mijë hektarë pyje dhe tokë bujqësore u dogjën dhe qindra shtëpi u dëmtuan ose u shkatërruan.

“Këtë vit, autoritetet po përgatiten të luftojnë flakët me më shumë fuqi punëtore se kurrë, duke mobilizuar rreth 18.000 zjarrfikës, duke investuar mbi 2 miliardë euro (2.17 miliardë dollarë amerikanë) në pajisje të reja, me avionë që hedhin ujë dhe 1100 makina zjarrfikëse”,- bëri të ditur ministri i Krizave Klimaterike dhe Mbrojtjes Civile, Vasilis Kikilias.

Që nga fillimi zyrtar i sezonit të zjarreve në 1 maj, ekuipazhet kanë filluar pastrimin e dhjetëra mijëra hektarëve pyje për të frenuar zjarret e mundshme, një detyrë që do të vazhdojë edhe për të paktën një muaj, tha në një konferencë shtypi Ministri i Mjedisit dhe Energjisë, Theodoros Skylakakis.

Megjithëse sezoni i zjarreve sapo ka nisur zyrtarisht, zjarrfikësit grekë kanë luftuar tashmë rreth 70 zjarre në ditë nga fillimi i prillit të këtij viti, pasi vendi regjistroi dimrin dhe pranverën e tij më të ngrohtë që nga vitet 1960, sipas meteorologëve grekë. Termometri arriti 30 gradë Celsius që në mars.

Nga qytetarët kërkohet që të luajnë rolin e tyre. Personave që kanë prona brenda ose në 300 metra larg pyjeve u është bërë thirrje që të presin pemë dhe të heqin pirgjet e druve të zjarrit dhe rezervuarët e gazit nga oborret e tyre, për të ndihmuar në uljen e rrezikut nga zjarri dhe për të lehtësuar përpjekjet për të frenuar përhapjen e flakëve, tha Skylakakis.

Zjarret shkatërruese në Greqi nuk janë të lidhura vetëm me ndryshimin e klimës, por edhe me zjarrvënien nga pakujdesia. Prandaj, Kodi Penal i Greqisë kohët e fundit është bërë më i rreptë dhe zjarrvënia nga pakujdesia nuk konsiderohet më kundërvajtje. Ata që ndezin zjarret nga pakujdesia përballen me ndëshkime dhe gjoba më të rrepta, tha Kikilias.

Nga fillimi i këtij viti, mbi 300 persona janë arrestuar për zjarrvënie nga pakujdesia. Autorët përballen me 10 vjet burg dhe gjoba deri në 200.000 euro. (Irma)