Presidenti francez mbështet planin amerikan për armëpushimin Izrael-Hamas
2024-06-06 09:57:21

Presidenti francez (Foto Rtsh)

Presidenti francez (Foto Rtsh)

Presidenti francez, Emmanuel Makron, zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, ku përsëriti mbështetjen e tij për planin e armëpushimit të presidentit amerikan, Joe Biden, mes Izraelit dhe Hamasit, shkruan “RTSH”.

Presidenti Makron theksoi se kjo marrëveshje armëpushimi duhet të rihapë një perspektivë të besueshme për zbatimin e zgjidhjes me dy shtete, e vetmja e aftë, sipas tij, për të ofruar garancitë e nevojshme të sigurisë për Izraelin dhe për t'iu përgjigjur aspiratave legjitime të palestinezëve.

“Gaza duhet të jetë pjesë integrale e një shteti të ardhshëm palestinez dhe një Autoritet Palestinez i reformuar dhe i forcuar, me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, duhet të sigurojë qeverisjen e tij”,- deklaroi presidenti francez.

Makron bëri thirrje për t'i dhënë fund luftës në Gaza, duke theksuar se kalvari i palestinezëve duhet të marrë fund dhe se shpërndarja masive e ndihmave humanitare duhet të bëhet pa pengesa të mëtejshme, përmes të gjitha kanaleve të disponueshme. (Irma)