Krerët e shteteve të Kinës, Kirgizistanit dhe Uzbekistanit urojnë për nënshkrimin e marrëveshjes ndërqeveritare të projektit hekurudhor
2024-06-06 20:56:51

foto nga

foto nga Xinhua

U zhvillua të enjten në Pekin ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes ndërqeveritare mbi projektin e hekurudhës Kinë-Kirgizistan-Uzbekistan. Me këtë rast, krerët e shtetit të të tre vendeve, përkatësisht presidenti i Kinës Xi Jinping, presidenti i Kirgizistanit Sadir Nurgozhoeviç Zhaparov dhe presidenti i Uzbekistanit Shavkat Miromonoviç Mirzijojev, dërguan mesazhe të veçanta urimi me video.

Në videomesazhin e tij, Xi Jinping-u vuri në dukje se hekurudha Kinë-Kirgizistan-Uzbekistan është një projekt strategjik i ndërlidhshmërisë ndërmjet Kinës e Azisë Qendrore dhe një vepër simbol e bashkëpunimit në kornizën e nismës "Një brez, një rrugë". Marrëveshja ndërqeveritare midis tre vendeve do të hedhë një bazë të fortë ligjore për ndërtimin e kësaj vepre dhe shënon shndërrimin e këtij projekti nga ëndrra në realitet, duke i dëshmuar bashkësisë ndërkombëtare vendosmërinë e të tre vendeve për nxitjen e bashkëpunimit dhe zhvillimin e përbashkët. Kina është e gatshme që, bashkërisht me Kirgizistanin e Uzbekistanin, të vazhdojë përpjekjet për përgatitjen e nisjes së ndërtimit të këtij projekti, për ta përuruar sa më parë këtë kanal strategjik në favor të të tre vendeve e të popujve të tyre dhe në ndihmë të zhvillimit ekonomik e shoqëror të rajonit.

Presidenti i Kirgizistanit Zhaparov tha se, si vepër shembullore e të tre vendeve në ndërtimin e përbashkët të "Një brez, një rrugë", kjo hekurudhë do të bëhet linja e re e transportit nga Azia në Evropë e vendet e Gjirit Persik dhe ka rëndësi të madhe për nxitjen e ndërlidhshmërisë dhe për forcimin e shkëmbimeve tregtare ndërmjet vendeve përgjatë linjës dhe të tërë rajonit. Ai shprehu shpresën se kjo hekurudhë do të përurohet sa më shpejt dhe do t'i japë një forcë të re nxitëse zhvillimit të përbashkët të rajonit dhe shtimit të përfitimeve për popujt e ndryshëm.

Nga ana e tij, presidenti i Uzbekistanit Mirzijojev theksoi se kjo ceremoni  nënshkrimi ka rëndësi historike dhe shënon një hap praktik në nxitjen e ndërlidhshmërisë në rajon. Kjo hekurudhë do të bëhet kanali më i shkurtër tokësor ndërmjet Kinës e vendeve të Azisë Qendrore dhe do të lidhë edhe tregjet e mëdha të Azisë Jugore e të Lindjes së Mesme, gjë që do të jetë në favor të shtimit të mëtejshëm të bashkëpunimit midis vendeve të rajonit dhe Kinës e të thellimit të marrëdhënieve miqësore ndërmjet vendeve përkatëse, duke u përputhur me interesat afatgjata të vendeve të ndryshme.

Hekurudha Kinë-Kirgizistan-Uzbekistan do të niset nga Kashgari i Rajonit Autonom të Xinjiang-Ujgurit të Kinës dhe, pasi të kalojë nëpër Kirgizistan, do të hyjë në Uzbekistan. Në të ardhmen ajo mund të zgjatet edhe drejt Azisë Perëndimore e Azisë Jugore. Pas përfundimit të ndërtimit, ajo do të nxitë në një shkallë të madhe ndërlidhshmërinë ndërmjet të tre vendeve dhe zhvillimin më të shpejtë ekonomik e shoqëror të rajonit. (Wang Lei/ Artan)