Kancelari Scholz: Vendimi për të lejuar Ukrainën të përdorë armët gjermane nuk kontribuon në përshkallëzim
2024-06-05 16:26:54

Kancelari gjerman Olaf Scholz  (Foto ATSH)

Kancelari gjerman Olaf Scholz nuk sheh asnjë rrezik në ndryshimin e kursit për të lejuar Ukrainën të përdorë armët e furnizuara nga Gjermania për të goditur në territorin rus.

“Ne jemi të sigurt se nuk do të kontribuojë në një përshkallëzim, sepse, siç e ka përshkruar edhe presidenti amerikan, ka të bëjë vetëm me aftësinë për të mbrojtur një qytet të madh si Kharkivi, për shembull”,- tha Scholz në një intervistë.

“Vendimi është marrë me kujdes me miqtë dhe aleatët e Gjermanisë. Dhe qytetarët e Gjermanisë mund të mbështeten në këtë. Unë nuk do të lejoj asnjë presion që të më bindë të marr një vendim që nuk është i drejtë dhe që nuk është në kohën e duhur”,- tha Scholz, citon “ATSH”.

Të premten, zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, njoftoi vendimin e kancelarit Scholz për të lejuar Ukrainën që të përdorë armë të furnizuara nga Gjermania kundër objektivave ushtarake në Rusi.

Si Gjermania ashtu edhe SHBA-ja e justifikuan masën me ofensivën e fundit ruse kundër rajonit verilindor të Ukrainës, Kharkiv. (Elona)