Shtatë në dhjetë europianë mendojnë se vendi i tyre strehon shumë emigrantë
2024-06-05 15:28:22

Emigrantë (Foto Panorama)

Rreth 60.000 emigrantë të paligjshëm kanë hyrë në Europë në gjysmën e parë të këtij viti. Gjithnjë e më shumë europianë mendojnë se ky fluks është i papërballueshëm. Bashkimi Europian ka miratuar një paketë ndihme prej 20 milionë eurosh për të mbështetur pritjen e emigrantëve të paligjshëm në Ishujt Kanarie, një nga pikat kryesore të hyrjes në Europë. Ky financim do të mbulojë shërbime të ndryshme, përfshirë këshillimin, përkthimin, transportin, kujdesin shëndetësor, strehimin dhe mirëmbajtjen, shkruan “Panorama”.

Opinionet publike ndryshojnë në të gjithë Europën. Në Greqi, Qipro, Islandë, Gjermani dhe Austri, shumica dërrmuese besojnë se vendi i tyre strehon shumë emigrantë.

Konkretisht, 90% e grekëve, 84% e qipriotëve, 78% e islandezëve dhe 77% e gjermanëve dhe austriakëve janë të këtij mendimi.

Në Spanjë, 70% e njerëzve të anketuar mendojnë se vendi i tyre është i mbingarkuar me emigrantë. E njëjta përqindje regjistrohet edhe në Francë, ku sfidat e multikulturalizmit po bëhen të dukshme.

Në vende si Rumania, Danimarka, Sllovakia dhe Portugalia këtë shqetësim e shprehin rreth 57% të popullsisë së anketuar. (Elona)