SHBA-ja po ushtron presion ndaj Izraelit për t’i dhënë fund luftës në Gaza
2024-06-04 15:38:57

Gaza (Foto Balkanweb)

Gaza (Foto Balkanweb)

SHBA-ja po ushtron presion ndaj Izraelit për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës pas një propozimi për një marrëveshje armëpushimi të paraqitur nga presidenti amerikan, Joe Biden, shkruan “ATSH”.

Drejtori i Komunikimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, deklaroi se vetëm nga një perspektivë ushtarake, izraelitët kanë përmbushur shumicën e qëllimeve të tyre në Gaza.

“SHBA-ja nuk ka thënë se Hamasi nuk ka kapacitete ushtarake. Ne nuk kemi thënë se ata nuk përfaqësojnë një kërcënim të qëndrueshëm për popullin izraelit. Por, ata nuk kanë aftësitë ushtarake për të bërë atë që bënë më 7 tetor”,- tha Kirby.

Presidenti amerikan prezantoi të premten detaje të një projektmarrëveshjeje paqeje që parashikon tre faza të shmangies së përshkallëzimit, duke filluar me një armëpushim të plotë për gjashtë javë dhe një tërheqje të forcave izraelite nga zonat me popullsi të dendur në Gaza.

Marrëveshja përcakton planet për lirimin e pengjeve dhe të burgosurve, tërheqjen e Izraelit nga territori palestinez dhe rindërtimin e Rripit të Gazës.

SHBA-ja bëri të ditur se Izraeli e kishte miratuar planin, ndërsa disa anëtarë të ekstremit të djathtë të qeverisë izraelite kërcënuan se do të tërhiqen nga koalicioni i kryeministrit Benjamin Netanyahu në rast se marrëveshja pranohej.

Netanyahu përsëriti qëndrimin e qeverisë izraelite se vendosja e parakushteve për paqen është shkatërrimi i lidershipit dhe aftësive ushtarake të Hamasit dhe kthimi i të gjithë pengjeve.

Ndërkohë Hamasi këmbëngul për t’i dhënë fund luftës përpara se të lirojë pengje të tjera.

Kirby theksoi se marrëveshja ishte një propozim izraelit. Ai tha gjithashtu se SHBA-ja pret që Izraeli të pajtohet me planin për një armëpushim, nëse Hamasi bie dakord, duke shtuar se militantët duhet të japin përgjigje zyrtare.  (Fatosi)