Frontex (Foto Rtsh)
Këshilli i Bashkimit Europian ka dhënë dritën jeshile për nënshkrimin e një marrëveshjeje me Serbinë, e cila do të mundësojë vendosjen e patrullave nga Agjencia Europiane e Rojave Kufitare (FRONTEX) për kontrollin e kufijve, edhe brenda territorit të Serbisë, në veprime të përbashkëta për kontrollimin e emigracionit ilegal, shkruan “RTSH”.
Serbia ndodhet në të ashtuquajturën “Rrugë ballkanike”, e cila, pavarësisht rrethojave, kamerave të vëzhgimit dhe patrullave të përbashkëta kufitare, është rruga e dytë më aktive e emigrantëve, sipas raporteve të FRONTEX-it.
“Marrëveshja do t’u mundësojë BE-së dhe Serbisë të organizojnë operacione të përbashkëta që do të përfshinin FRONTEX-in dhe Gardën Kufitare të Serbisë. Kjo, po ashtu, do të thotë se ekipet menaxhuese kufitare të FRONTEX-it mund të dislokohen në Serbi. Ato do ta ndihmojnë Serbinë për të menaxhuar valët e emigracionit, të veprojë kundër emigrimit të paligjshëm dhe të luftojë kundër krimeve tejkufitare”,- thuhet në njoftimin e Këshillit të BE-së.
BE-ja ka pasur një marrëveshje bashkëpunimi me Serbinë për këtë çështje, por ajo mundësonte veprimet e FRONTEX-it vetëm në kufijtë e vendeve të BE-së me Serbinë. Marrëveshja e re do të mundësojë vendosjen e FRONTEX-it brenda territorit të Serbisë.
Bashkimi Europian ka marrëveshje të tilla me disa vende, si me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Moldavinë. (Irma)