Gjykata e lartë publikon çështjet për mbrojtjen gjyqësore të të miturve
2024-05-31 15:17:50

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Gjykata e Lartë Popullore (SPC) publikoi të enjten pesë raste në lidhje me mbrojtjen gjyqësore për të miturit, për të ndihmuar gjykatat e nivelit më të ulët të trajtojnë më mirë çështjet përkatëse, shkruan “Xinhua”.

Rastet, dy penale dhe tre civile, përfshijnë çështje si bullizmi në shkollë dhe abuzimi i fëmijëve.

Publikimi i rasteve u bë në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Në njërin prej rasteve, një nxënëse 14-vjeçare, e cila ishte viktimë e bullizmit, përdori një thikë për t'u mbrojtur kur u përball me një sulm në grup, duke shkaktuar lëndime ndaj tre prej tyre.

Gjykata, duke marrë parasysh rrethanat e përgjithshme të çështjes, arriti në përfundimin se sjellja ishte vetëmbrojtje legjitime dhe, si rrjedhim, nuk ishte përgjegjëse penale.

Sipas një deklarate të publikuar nga zyra e kërkimit të SPC-së, publikimi i këtij rasti synon të ndihmojë në mbrojtjen më të mirë të viktimave të ngacmimit dhe të sigurojë që rastet e ngacmimit në shkollë të trajtohen siç duhet, duke parandaluar dhe reduktuar në mënyrë efektive incidentet e kësaj natyre.

Rastet udhëzuese përfshijnë gjithashtu disa raste të profilit të lartë në lidhje me abuzimin e fëmijëve nga një anëtar i familjes, shitjen e paligjshme të alkoolit për të miturit, të drejtat e kujdestarisë dhe të drejtat e vizitës për gjyshërit.

Kjo ishte hera e parë që Gjykata e Lartë Popullore publikoi rastet udhëzuese që kanë të bëjnë veçanërisht me mbrojtjen e të miturve.

Një ligj i rishikuar për mbrojtjen e të miturve, i cili përfshin masa të përmirësuara parandaluese për të ndaluar bullizmin në shkollë, si dhe përcaktime mbi përgjegjësitë e kujdestarëve të fëmijëve të lënë pas dhe mbrojtjen sociale të rritur të të miturve, hyri në fuqi më 1 qershor 2021. (Elona)