Presidenti brazilian (Foto Panorama)
Brazili tërhoqi ambasadorin e tij në Izrael, pas muajsh tensionesh midis dy vendeve për luftën në Gaza.
Kjo është lëvizja më e fundit nga një komb i Amerikës së Jugut mbi fushatën ushtarake të Izraelit në territorin palestinez.
Vendimi u njoftua në gazetën zyrtare të Brazilit.
Ministria e Jashtme e Izraelit bëri të ditur se asnjë mesazh zyrtar nuk është marrë ende nga qeveria braziliane për këtë çështje, shkruan “RTSH”.
Sipas raportimeve në media, i ngarkuari brazilian me punë në Izrael u thirr të paraqitej në ministri për një takim.
Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, e ka kritikuar vazhdimisht ofensivën e Izraelit në Gaza, të cilën e krahasoi me Holokaustin në fillim të këtij viti. Kjo bëri që ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, të thërriste ambasadorin brazilian, Frederico Meyer, për një qortim publik.
Sipas një zyrtari në Ministrinë e Jashtme të Brazilit, largimi vjen si përgjigje ndaj poshtërimit të Meyer nga kryediplomati izraelit.
Zyrtari, i cili ka njohuri për situatën, foli në kushte anonimiteti pasi nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht.
Meyer është transferuar në Gjenevë dhe do t'i bashkohet misionit të përhershëm të Brazilit në Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare. (Elona)